14:17 / E Premte, 19 Tetor 2018 / indeksADMonline

AKP dinamizon procesin e privatizimit

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka vazhduar gjatë këtij viti me një dinamikë të lartë të punës me procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre, duke shënuar rezultate si në numrin e aseteve të tenderuara, ashtu edhe në tërheqjen e investitorëve dhe në çmimet e ofruara për pronat shoqërore të tenderuara.

Vetëm që nga janari i këtij viti e deri më tani, AKP ka realizuar rreth 300 shitje të pronave shoqërore, përmes tenderëve të hapur, publik e konkurrues, në prani të mediave e me transmetim live të ceremonisë së dorëzimit dhe hapjes së ofertave, duke dëshmuar transparencë për pjesëmarrësit dhe gjithë opinionin publik. Procesi ka pasur shtrirje në çdo Komunë të Kosovës pa dallim, në përputhje me mandatin ligjor që AKP-së ia ka dhënë Ligji i miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Vetëm gjatë këtij dhjetëmujori të këtij viti janë mbajtur 3 valë të shitjeve me rreth 300 asete, ndërsa rreth 250 ofertues kanë marrë pjesë në proces. Fondi i privatizimit u shtua për afër 5.7 milionë euro. Agjencia e ka të shpallur edhe valën e re të shitjes së aseteve të ndërmarrjeve në likuidim, ShAL 42, me 53 asete të tenderuara që gjenden në anë të ndryshme të territorit të Republikës së Kosovës. Janë tenderuar toka bujqësore me sipërfaqe të përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë, lokale të ndryshme, uzina e ndërtesa të ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Ferizaj, Viti, Skenderaj, Vushtrri, Drenas, pastaj në shitje ka asete që gjenden në Veri të Mitrovicës, Istog ,Klinë, Pejë Gjakovë,Graçanicë, Shtërpce, Prizren,Rahovec etj.

Ceremonia e dorëzimit dhe hapjes së ofertave për këtë valë të shitjeve do të jetë me datën 7 nëntor 2018 dhe do të mbahet në Hotelin Grand, që gjendet  në qendër të Prishtinës, dhe jo në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë ku janë mbajtur deri më tani. Lokacioni i ri, Salla e Konferencave në Hotelin Grand do të jetë një lehtësim shtesë i ofertuesve, mediave dhe gjithë pjesëmarrësve në këtë ngjarje, meqë gjendet në qendër të Prishtinës dhe ofron kushte më të mira si në qasje dhe përshtatshmërinë dhe  aspektet teknike për të organizuar këtë ceremoni të dorëzimit dhe hapjes së ofertave si dhe shitjeve të ardhëshme.

Të gjithë ata që dëshirojnë të marrin informata më të detajuara në lidhje me pronat që janë në shitje apo informata të tjera mund ta kontaktojnë e vizitojnë Agjencinë zyret qendrore në Prishtinë, apo pesë zyret e saj rajonale në Prishtinë, në Mitrovicë, në Pejë, në Prizren dhe në Gjilan.