75 Mall Live Search
11:13 / E Enjte, 07 Nëntor 2024 / MSH

AKP-ja shpall shitjen e radhës SHAL 70

Privatizimi i aseteve në Kosovë vazhdon të krijojë mundësi të mëdha për investitorët vendas dhe ndërkombëtarë që kërkojnë të shtrijnë biznesin e tyre në sektorin e pasurive të paluajtshme. Në këtë valë të shitjes, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ofron për shitje gjithsej 29 asete, të shpërndara në rajone të ndryshme si Prishtina, Peja dhe Mitrovica. Asetet përfshijnë toka bujqësore me potencial të lartë për zhvillim, objekte dhe lokale komerciale në zona të frekuentuara.

Në rajonin e Prishtinës janë në dispozicion 26 prona bujqësore, të vendosura kryesisht në fshatin Llapllasellë dhe Çagllavicë. Këto parcela ofrojnë sipërfaqe të ndryshme dhe janë të përshtatshme për investime të shumta bujqësore ose për projekte zhvillimore.

Në rajonin e Pejës, në qytetin e Gjakovës ofrohet për shitje restoranti me objektet përcjellëse me sipërfaqe prej 550 m² si dhe një lokal prej rreth 80 m². Ndërkaq në rajonin e Mitrovicës ofrohet për shitje lokali prej rreth 30 m². Objektet janë të vendosura në zona strategjike dhe ofrojnë mundësi të shumta për zhvillim të biznesit.

Mos e humbisni këtë mundësi unike për të investuar në të ardhmen e pasurive të paluajtshme në Kosovë. Blerësit mund të konkurrojnë për njërin nga këto asete apo mund të konkurrojnë për më shumë asete. Gjithë procesi i dorëzimit të ofertave dhe i hapjes dhe zbulimit të çmimeve është i siguruar dhe garantuar dhe zhvillohet me transparencë të lartë, në prani të mediave dhe gjithë blerësve konkurrentë dhe transmetohet drejtpërdrejt.

Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.70 duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 27.11.2024, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull. Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30. Gjatë kësaj periudhe palët e interesuara e kanë mundësinë që të marrin informata më të detajuara si dhe t’i vizitojnë për së afërmi pronat e ofruara për shitje.

Për më shumë informata, palët e interesuara ftohen të vizitojnë uebfaqen e Agjencisë në www.pak-ks.org apo të kontaktojnë direkt AKP-në, rr.“Dritan Hoxha Nr.55”, 10000 Prishtinë, Kosovë, apo në tel: +383 (0) 38 500 400, ext. 1090 apo ext.2059.