AKP-ja vazhdon traditën, dhuron gjak për të pestën herë me radhë
Agjencia Kosovare e Privatizimit do të organizojë në zyrën qendrore të saj një aksion humanitar për dhurimin e gjakut nga zyrtarët e AKP-së, në bashkëpunim dhe për nevoja të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës.
Veton Hajdini, zyrtar për media u shpreh se zyrtarët e AKP-së për të pestin vit radhazi iu kanë bashkangjitur aksionit për dhurimin vullnetarë të gjakut.
“Ky është viti i pestë me radhë që zyrtarët e Agjencisë së Privatizimit të Kosovës iu kanë bashkangjitur aksionit vullnetarë për dhurimin e gjakut në përkrahje të Qendrës për Transfuzion të Gjakut të cilët me ekipet e tyre mobile vinë në selinë qendrore të AKP-së për të realizuar këtë aksion”, tha ai.
Labinot Lekaj auditor i brendshëm në AKP u shpreh i lumtur që është pjesë e këtij aksioni, si një vullnetar i rregullt i dhurimit të gjakut.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij aksioni. Dy herë ne vit dhuroj gjak është ndjenjë e veçantë që dikush buzëqeshë nga gjaku yt”, tha ai.