13:00 / E Enjte, 09 Nëntor 2023 / MSH

AKP ka nxjerrë në shitje lokale e prona atraktive në disa rajone të Republikës së Kosovës

Agjencia Kosovare e Privatizimit ju fton të konkurroni për t’u bërë pronar i pronave të shumta në lokacione atraktive në disa qytete të Kosovës. Në valën e fundit të shitjeve të aseteve, janë tenderuar 39 prona që ofrojnë mundësi të shkëlqyeshme për blerje dhe zhvillim të biznesit tuaj.

Vala e re e shitjeve të aseteve me nr. 64 (ShAL 64), e cila u shpall me datë 9 nëntor 2023, përfshin 15 asete në rajonin e Prishtinës, ku ka ndërtesa Administrative, lokale, depo e toka, që paraqesin mundësi të shkëlqyer për zhvillimin e veprimtarive biznesore. Në rajonin e Prishtinës po ashtu ka lokale e toka në shitje edhe qytetin e Podujevës e Obiliqit.

Në rajonin e Pejës janë në shitje 10 asete, si ndërtesa e lokale, depo si dhe objekt hotelier (motel), që gjinden në Pejë, Gjakovë, Klinë e Deçan. Po ashtu në rajonin e Pejës ka në shitje edhe toka bujqësore që janë të përshtatshme për kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore dhe për zhvillimin e biznesit.

Në rajonin e Prizrenit mund të ofertoni për blerje të lokaleve dhe depove. Janë gjithsej 8 lokale në shitje në këtë rajon. Po ashtu në tender ka 4 prona edhe nga Mitrovica si dhe ka asete edhe nga rajoni i Gjilanit.

Blerësit mund të konkurrojnë për njërin nga këto asete apo mund të konkurrojnë për më shumë asete. Gjithë procesi i dorëzimit të ofertave dhe i hapjes dhe zbulimit të çmimeve është i siguruar dhe garantuar dhe zhvillohet me transparencë të lartë, në prani të mediave dhe gjithë blerësve konkurrentë dhe transmetohet drejtpërdrejt.

Shpallja publike për këto asete është bërë me 09.11.2023. Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.64 duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 29.11.2023, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull.

Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30. Gjatë kësaj periudhe palët e interesuara e kanë mundësinë që të marrin informata më të detajuara si dhe t’i vizitojnë për së afërmi pronat e ofruara për shitje.

Listën e Aseteve të tenderuara mund ta gjeni të bashkangjitura në këtë e-mail dhe në linkun https://www.pak-ks.org/page.aspx?id=1,65,%20751

Për më shumë informata, palët e interesuara mund të kontaktojnë AKP-në, Rruga “Dritan Hoxha Nr.55”, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës, apo në tel: +383 (0) 38 500 400.