AKP reagon për rastin e shitjes direkte të një parcele në ZK Nekodime në Ferizajt
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) shpreh shqetësimin e saj lidhur me artikullin e publikuar në media, në të cilin paraqiten pretendime të pasakta, interpretime të njëanshme dhe konkluzione të pambështetura në fakte, të cilat krijojnë perceptim të gabuar tek publiku dhe kanë potencial të ndikojnë në proceset demokratike dhe zgjedhore përmes keqinformimit dhe dezinformimit të opinionit publik.
Për hir të informimit të drejtë të qytetarëve, AKP sqaron si në vijim:
Para se të trajtohen aspektet ligjore dhe procedurale të këtij rasti, është e rëndësishme të theksohet se vetë dokumentet e publikuara nga portali Gazeta Infokus dëshmojnë një fakt thelbësor që është lënë jashtë artikullit. Parcela objekt i shitjes direkte në këtë rast, me sipërfaqe prej 2,524 m², është shitur për shumën prej 302,880 euro, përkatësisht me çmim prej 120 euro për m². Ndërkaq, nga vendimet e Bordeve te kaluara vendime të publikuara në të njëjtin artikull rezulton se AKP ka realizuar shitje të ngjashme me çmime prej 20.00 euro/m², 17.27 euro/m², 15.05 euro/m² dhe 1.10 euro/m². Mesatarja e këtyre rasteve është rreth 13.36 euro/m², që nënkupton se parcela në fjalë është shitur me çmim afërsisht nëntë (9) herë më të lartë. Ky fakt, i cili mund të verifikohet nga çdo lexues duke iu referuar vetë dokumenteve të publikuara nga portali, bie ndesh me narrativën e paraqitur në artikull se kemi të bëjmë me zhvlerësim apo favorizim në shitjen e asetit. Përkundrazi, të dhënat tregojnë se në këtë rast është realizuar një vlerë e lartë financiare në interes të ndërmarrjes shoqërore dhe kreditorëve të saj.
1. Shitja nuk është realizuar jashtë procedurave ligjore
Rasti në fjalë nuk përbën një vendim të veçantë apo të jashtëzakonshëm, por është trajtuar në përputhje të plotë me:
• Ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit;
• Shtojcën e Ligjit të AKP-së, konkretisht nenin 18 paragrafi 1.4;
• Rregulloren Nr. 04/2024 për Shitjen Direkte të Aseteve të Caktuara të Ndërmarrjeve Shoqërore.
Kjo rregullore është miratuar pikërisht për trajtimin e rasteve ku shitja përmes tenderit publik nuk është e mundshme ose do të shkaktonte humbje ekonomike për ndërmarrjen shoqërore.
2. Parcela nuk ishte e përshtatshme për tender publik
Parcela kadastrale nr. 410-0 në ZK Nekodime ishte e rrethuar në të gjitha anët me prona private të privatizuara më herët dhe, sipas gjendjes faktike në terren, ishte bërë pjesë integrale e një kompleksi privat banimi.
Në këtë parcelë dhe mbi të ishin shtrirë:
• objekte banimi;
• rrugë të brendshme;
• infrastrukturë e ujësjellësit;
• kanalizim;
• rrjet energjetik dhe infrastrukturë përcjellëse.
Ekspertizat profesionale, raportet e terrenit dhe vlerësimet teknike kanë konstatuar se gjendja ishte e pakthyeshme dhe se parcela kishte humbur funksionin e saj fillestar.
Në këto rrethana, AKP kishte detyrim ligjor të vlerësonte nëse tenderimi publik do të ishte realisht i mundshëm dhe ekonomikisht i arsyeshëm.
3. Vetë rregullorja e parashikon këtë kategori shitjeje
Neni 4 paragrafi 1.3 i Rregullores për Shitjen Direkte parashikon shprehimisht mundësinë e shitjes direkte kur:
“Ngastra kadastrale ose pjesa e caktuar e ngastrës kadastrale amë në pronësi të ndonjë ndërmarrje shoqërore e cila sipas gjendjes faktike në terren, është si pjesë integrale e kompleksit të pronësisë private ose nuk ka dalje në rrugë, me ç’rast tenderimi publik konsiderohet i pamundur apo sjell dëme potenciale ekonomike për vlerën reale të asetit dhe zhvlerësimin e tij.”
Po ashtu, rasti konkret përmban elemente që lidhen edhe me paragrafin 1.2 të nenit 4 të së njëjtës rregullore, pasi në parcelë ekzistojnë ndërtime dhe infrastrukturë e përhershme.
Pikërisht kjo është situata faktike e konstatuar në këtë rast.
4. Pretendimi për favorizim bie ndesh me vetë faktet
Artikulli tenton të krijojë përshtypjen se prona është shitur nën vlerë.
Faktet tregojnë të kundërtën.
Parcela prej 2,524 m² është shitur për 302,880 euro, përkatësisht 120 euro për m².
Vetë dokumentet e publikuara nga portali tregojnë se në raste të tjera të trajtuara nga Bordet paraprake të AKP-së janë realizuar shitje me vlera dukshëm më të ulëta për metër katror.
Kjo tregon qartë se nuk kemi të bëjmë me zhvlerësim të asetit, por me një realizim financiar që ka ruajtur dhe maksimizuar interesin ekonomik të ndërmarrjes shoqërore.
5. Vlera nuk është përcaktuar arbitrarisht
Në kundërshtim me pretendimet e artikullit, çmimi nuk është përcaktuar nga ndonjë individ apo organ politik.
Sipas Rregullores Nr. 04/2024, vlera e asetit dhe/ose pjesës së tij bazohet në treguesit e vlerave referente në harmoni me klasifikimet e parapara në hartat digjitale të zonave të vlerësimit, të publikuara nga Ministria e Financave për qëllime të tatimit në pronë.
Për rrjedhojë, vlera e asetit nuk përcaktohet sipas vlerësimeve subjektive apo diskrecionit të zyrtarëve të AKP-së, por sipas metodologjisë zyrtare të vlerësimit të pronave të aplikuar në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
6. Emrat e blerësve nuk fshihen – mbrohet privatësia e palëve
Artikulli pretendon se AKP ka fshehur emrin e blerësit.
Ky pretendim është i pasaktë.
AKP zbaton standard të njëjtë për të gjitha rastet e shitjeve direkte dhe publikimit të vendimeve administrative.
Të dhënat personale të personave fizikë anonimizohen në pajtim me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësinë e palëve.
Ky standard zbatohet pa dallim për të gjithë qytetarët dhe nuk ka të bëjë me identitetin, pozitën apo përkatësinë politike të ndonjë personi.
7. AKP është institucion i pavarur dhe jo organ politik
AKP vepron në bazë të mandatit të përcaktuar me ligj dhe vendimet e saj merren në bazë të dokumentacionit profesional, ekspertizave teknike, analizave juridike dhe procedurave të miratuara nga organet kompetente.
Përfshirja e emrave të figurave politike në tituj sensacionalë, pa asnjë provë se ato kanë pasur rol në procesin administrativ apo vendimmarrës, krijon perceptime të rreme dhe cenon besimin e publikut në institucionet shtetërore.
AKP mbetet e përkushtuar ndaj ligjshmërisë, transparencës, trajtimit të barabartë të të gjitha palëve dhe mbrojtjes së interesit publik gjatë administrimit, privatizimit dhe likuidimit të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore.
Duke konsideruar se artikulli në fjalë nuk ka paraqitur në mënyrë të plotë faktet relevante, bazën ligjore të procesit, rrethanat faktike të rastit dhe elementet që kanë ndikuar në përcaktimin e vlerës së asetit, vlerësojmë se opinioni publik është informuar në mënyrë të njëanshme dhe jo të plotë. Për këtë arsye, kërkojmë nga media që, në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë dhe parimin e informimit të drejtë të publikut, të publikojë këtë reagim dhe të korrigjojë artikullin përkatës duke reflektuar faktet dhe sqarimet zyrtare të paraqitura nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

