15:07 / E Premte, 14 Korrik 2023 / S Z

AKP shpall qiradhënie të objekteve dhe tokave atraktive në të gjitha rajonet e Kosovës

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka hapur shpalljen publike për qiradhënien e 211 aseteve atraktive që gjenden në pesë rajonet e Kosovës.

Në rajonin e Prishtinës ofrohen për qiradhënie 19 asete, në rajonin e Pejës 102 asete, në rajonin e Prizrenit 72 asete, në rajonin e Gjilanit 10 asete dhe 8 asete lëshohen me qira në rajonin e Mitrovicës.

Asetet e Ndërmarrjeve Shoqërore që ofrohen për qiradhënie janë të kategorive të ndryshme duke filluar prej objekteve afariste, zyrave, depove, lokaleve dhe zyrave deri tek ngastrat kadastrale si tokat bujqësore. Shpallja publike është e hapur që nga dita e sotme, ndërsa dorëzimi dhe hapja e ofertave dhe publikimi i çmimeve do të bëhet me datë 28.07.2023 prej orës 10:00 – 12:00 në zarf të mbyllur për secilën njësi veç e veç në zyrat rajonale respektive të AKP-së: Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjilan dhe Mitrovicë.

Ky është një rast i volitshëm për ndërmarrësit e rijnë që të funksionalizojnë kompanitë e tyre në asetet që janë shpallur me qira nga AKP, pasi që ofrohen për shfrytëzim asete mjaft atraktive në të gjitha rajonet e Kosovës.

Periudha e qiradhënies është për 1 vit me mundësi vazhdimi. Gjithashtu parashihet edhe ndërprerja e saj në rast të privatizimit. Për shfrytëzim komercial aplikohet qiraja mujore kurse për shfrytëzim bujqësor aplikohet qiraja vjetore (sezonale).

Ofertat bëhen në mënyrë individuale për secilën njësi veç e veç dhe me zarf të mbyllur (një zarf – një ofertë për një njësi), dorëzohen në Zyrat Rajonale respektive, ashtu siç është e cekur në shpallje. Në rastet e qiradhënies në vlera mbi € 1,000 mujore, para nënshkrimit të kontratës do të kërkohet nga ofertuesi fitues të sjellë garancionin bankar (jo letër zotimi nga banka) apo garancionin e lëshuar nga Kompania e licencuar e Sigurimeve.

Garancioni duhet të jetë në lartësinë e vlerës së gjashtë (6) qirave mujore sipas kontratës. Për dorëzimin e ofertës duhet të përdoret Formulari për Dorëzimin e Ofertës, i cili mund të merret në Zyrat Rajonale respektive siç është e cekur në shpallje, apo të shkarkohet nga ueb-faqja: www.pak-ks.org. Kriteri për përzgjedhjen e ofertuesit fitues të njësive përkatëse do të jetë çmimi i ofertës më të lartë.

Ofertat do të pranohen në Zyrat Rajonale respektive me 28.07.2023 prej orës 10:00 – 12:00 në zarf të mbyllur për secilën njësi veç e veç, ndërsa zarfet do të hapen 15 minuta pas dorëzimit, pra në orën 12:15. Ofertat përmes faksit ose postës elektronike nuk do të pranohen.

Të dhënat e detajuara për pronat lëndë e ofertës mund të merren në Zyrat Rajonale, varësisht për çfarë aseti interesoheni.

Për më shumë informata për secilin aset të ofruar për qiradhënie në këtë shpallje, klikoni në faqen e internetit të AKP-së: www.pak-ks.org ku në rubrikën Shpallje gjinden listat e aseteve që do të lëshohen në shfrytëzim.