15:20 / E Mërkurë, 05 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

AKP shpalli rezultatet e shitjeve përmes likuidimit

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve nr. 43 përmes metodës së likuidimit shpalli çmimet më të larta të ofruara për asetet e ndërmarrjeve shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.

Për 71 asete sa ishin në shitje përmes kësaj vale të tenderuar gjithsej vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 1,001,489 €uro.

Dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve u bënë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave, përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës si dhe investitorëve të pranishëm, ndërkaq është
bërë transmetimi drejtpërdrejt i ceremonisë përmes faqes zyrtare të internetit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit: www.pak-ks.org , duke mundësuar përcjelljen e ceremonisë edhe për të gjithë qytetarët e interesuar që s’kanë qenë të pranishëm në sallë.

Ceremonia e hapjes së ofertave ka filluar në orën 12:30 dhe është mbajtur në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë, ku edhe është bërë dorëzimi i ofertave nga ofertuesit nga ora 10:00 deri në ora 12:00.

Agjencia Kosovare e Privatizimit, është organ i pavarur i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e vendit.

Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e këtyre ndërmarrjeve dhe/ose aseteve investitorëve private-blerësve, ose likuidimin e tyre, gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.

(Bashkangjitur (në atach) gjeni tabelën me ofertat e pranuara dhe çmimet e ofruara për secilin aset të tenderuar në Shitjen e Aseteve përmes Likuidimit nr.43 si dhe disa foto nga ceremonia e mbajtur).