10:50 / E Mërkurë, 22 Janar 2020 / indeksADMonline

AKP-ja shpalli shitjen e re të aseteve përmes likuidimit nr.54

Prishtinë – Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) zyrtarisht ka shpallur shitjen e aseteve përmes likuidimit nr.54. Lista e tenderëve për privatizimin me këtë valë të shitjeve përmban 93 asete-njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore në Republikën e Kosovës, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tonë.

Kjo valë e shitjeve me të gjitha asetet e tenderuara është miratuar në Bordin e Drejtorëve, kurse AKP-ja i ka njoftuar paraprakisht të gjitha komunat përkatëse se këto asete të ndërmarrjeve shoqërore do të privatizohen dhe ka shpallur njoftimin për tender në faqen e saj të Internetit www.pak-ks.org dhe në mediat e shkruara dhe ato elektronike.

Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes shitjes së aseteve me likuidim nr.54 duhet të dorëzohen në sallën e konferencave të hotelit “Grand”, në Prishtinë më 19 shkurt 2020, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull. Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30.