AKR demanton “listën e deputetëve” të LDK-së: Ne marrim tre deputetë

Aleanca Kosova e Re ka thënë se do të ketë deri në tre deputetë në legjislaturën e ardhshme të kuvendit, duke i bazuar në informatat brenda partiake.
Sekretari i AKR-së, Vesel Makolli ka thënë se kanë informata për manipulimin e votave të kandidatëve brenda listës së LDK-së, në të cilën zënë vend pesë kandidatë nga radhët e AKR-së.

“Ne shpresojmë se diku tre kandidatë do t’i nxjerrim deputetë, sipas informatave që i kemi. Por, ekziston një problem: kemi shumë arsye për të kërkuar rinumërim sepse është manipuluar shumë me votat e kandidatëve dhe jo vetëm me votat e kandidatëve tanë”, ka deklaruar Makolli.
Sipas Makollit, ekzistojnë fakte të pamohueshme që vërtetojnë manipulimin e votave të kandidatëve për deputetë në të gjithë vendin.
“Kemi shumë bazë për të bërë këtë ankesë, kemi fakte të pamohueshme që është bërë manipulimi i votave. Kështu që, ne kërkojmë që të rinumërohen të gjitha votat. Ka edhe kandidatë të tjerë që pritet ta bëjnë këtë kërkesë”, ka deklaruar ai për Insajderi.
AKR-ja në zgjedhjet e parlamentare të 14 shkurtit ka qenë pjesë e Listës së LDK-së duke garuar me gjashtë kandidatë për deputet.