23:53 / E Mërkurë, 18 Mars 2020 / indeksADMonline

AKR: Të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, nesër qëndrimi për mocionin

Aleanca Kosova e Re, apo partia e Behgjet Pacollit pritet që nesër të vendos lidhur me propozimin e LDK-së për mocion mosbesimi për Qeverinë Kurti.

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli deklaroi se përkrah shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, dhe se nesër do të vendoset lidhur me atë se si do të jetë qëndrimi i tyre karshi mocionit, raporton Indeksonline.

Mbetet të shihet nëse dy deputetët e AKR-së, janë pro apo kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti, në këtë situatë pandemike me të cilën po përballet vendi.

Reagimi i Pacollit:

Aleanca Kosova e Re e sheh shumë të nevojshme për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës ( sikurse ne shumicën e vendeve europiane) për të marre masa më të rrepta për të mbrojtur publikun pas përhapjes së përshpejtuar të koronavirusit në Republikën e Kosovës.

Një masë e tillë do të mundësojë që institucionet e Republikës së Kosovës të kenë një menaxhim të përgjegjshëm dhe profesional të situatës dhe të sigurojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve në Republikën e Kosovës.

AKR u bën thirrje të gjitha partive politike parlamentare të mbështesin këtë dekret dhe të sigurojnë që vendi të qëndrojë i bashkuar në tejkalimin e pandemisë globale të koronavirusit. AKR gjithmonë do të luajë rolin e saj konstruktiv në Republikën e Kosovës dhe institucionet e saj.

AKR mbështet çdo përpjekje që synon heqjen e takses tregtare të vendosura ndaj Serbisë dhe mbajtjen e partneritetit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

AKR bën thirrje për unitet dhe koordinim të ngushtë të të gjithë liderëve politikë dhe institucionalë në Kosovë dhe të partive politike parlamentare.

Ne nuk mbështesim rivalitetet dhe betejat politike bazuar në hakmarrje, inate dhe vetjake që shkojnë në dem të qytetarëve të Kosovës.