Aksident fatal me traktor, ndërron jetë një 67-vjeçar në Lipjan

Një aksident tragjik ka ndodhur të dielën rreth orës 11:00 në Lipjan, ku si pasojë e lëndimeve të rënda ka humbur jetën 67-vjeçari, Elez Zaskoku, transmeton IndeksOnline.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, viktima, shtetas kosovar, dyshohet se nga pakujdesia e ka ndezur traktorin në mënyrë të parregullt derisa ky ishte në shpejtësi. Si rezultat, mjeti bujqësor ka lëvizur në mënyrë të pakontrolluar duke e goditur vetë pronarin e tij.
Viktima është dërguar me urgjencë në emergjencën e qytetit, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore për të filluar hetimet mbi rastin, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Organet kompetente vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes së rëndë./IndeksOnline/