75 Mall Live Search
17:08 / E Hënë, 22 Shtator 2025 / BA

Aksident gjatë xhirimeve të Spider-Man, aktori Tom Holland transportohet në spital

Aktori i njohur Tom Holland është lënduar gjatë xhirimeve të filmit më të ri të Marvel-it, “Spider-Man: Brand New Day”.

Sipas Hollywood Reporter, 29-vjeçari ka pësuar një tronditje të lehtë në kokë, pasi u rrëzua dhe goditi kokën në tokë në Leavesden Studios, në Watford të Londrës.

Burime pranë produksionit konfirmuan se Holland do të marrë disa ditë pushim për t’u rikuperuar. Ndërkohë, babai i tij, Dominic Holland, deklaroi në një darkë bamirësie se djali i tij “do të mungojë për një kohë” në sheshxhirim, sipas Daily Mail.

Filmi u njoftua për herë të parë nga Sony Pictures në prill gjatë CinemaCon 2025, me titullin “Brand New Day”, muaj pasi Holland kishte konfirmuar se do të rikthehej në rolin e Spider-Man për herë të katërt.

Tom Holland ka interpretuar rolin e Spider-Man/Peter Parker në Universin Kinematografik Marvel (MCU) që nga viti 2016 me filmin Captain America: Civil War. Kohët e fundit, aktori ka deklaruar se do të jetë më i përfshirë edhe në mënyrë krijuese në projektin e ri.

Në film pritet të rikthehen edhe yje të tjerë të njohur si Zendaya në rolin e Michelle “MJ” Jones, Jacob Batalon, Jon Favreau, si dhe emra të rinj si Liza Colón-Zayas (The Bear), Sadie Sink (Stranger Things), Mark Ruffalo, Michael Mando dhe Jon Bernthal.

“Spider-Man: Brand New Day” pritet të dalë në kinema më 31 korrik 2026, sipas konfirmimit zyrtar nga Sony Pictures.