Aksident me fatalitet në Devë të Gjakovës, humb jetën një i ri

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në fshatin Devë të komunës së Gjakovës.
Si pasojë e përplasjes mes një veture dhe një motoçiklete, një person ka humbur jetën, pasi nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve.
IndeksOnline ka mësuar se bëhet fjalë për Vigan Hajdaraj, rreth 25-vjeçar.
Rasti për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënsja e policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ku njoftoi se vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendngjarje.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion mjeko-ligjor, ndërsa drejtuesi i automjetit është ndaluar për 48 orë.
“Sot, rreth orës 13:40, është raportuar për një aksident trafiku në fshatin Devë, Komuna e Gjakovës, ku janë përfshirë një automjet dhe një motoçikletë.
Si pasojë e aksidentit, një person i gjinisë mashkull, i moshës madhore, ka humbur jetën. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendngjarje.
Njësitet policore kanë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme hetimore. Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion mjeko-ligjor, ndërsa drejtuesi i automjetit është ndaluar për 48 orë.”, tha Krasniqi./IndeksOnline/