Aksident me fatalitet në Fushë Kosovë, 85 vjeçari vdes pasi u godit nga vetura
Një aksident me fatalitet ka ndodhur rreth orës 00:50 në rrugën “Shefki Kuleta” në Fushë Kosovë.
Një 85 vjeçar e ka humbur jetën si pasojë e goditjes nga një veturë.
Viktima Isuf Obrazhda, si pasojë e lëndimeve të rënda është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Por, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor, sot në mëngjes, rreth orës 06:00, është konfirmuar se i lënduari ka ndërruar jetë, njofton Klankosova.tv.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar familjarëve, derisa rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente si aksident komunikacioni rrugor me fatalitet.
Rasti po hetohet për të zbardhur të gjitha detajet lidhur me këtë rast të rëndë.
Ceremonia e varrimit të 85 vjeçarit do të bëhet nesër më 26 dhjetor, me fillim nga ora 12:00 në varrezat e qytetit në Prishtinë./Indeksonline/

