75 Mall Live Search
19:58 / E Enjte, 03 Korrik 2025 / Burim

Aksident mes pesë veturave në rrugën Ferizaj – Kaçanik, lëndohen dy persona

Një aksident mes pesë automjeteve ka ndodhur pasditen e së enjtes në rrugën rajonale Ferizaj-Kaçanik, ku të përfshira ishin katër automjete me targa vendore dhe një me targa të Maqedonisë së Veriut.

Si pasojë e kësaj përplasjeje, janë lënduar dy persona.

Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Ju njoftojmë se sot, më 03.07.2025, rreth orës 16:00, në rrugën rajonale Ferizaj -Kaçanik (rreth 2 km në dalje të Kaçanikut), ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë pesë automjete – katër me targa vendore dhe një me targa të huaja (të Maqedonisë së Veriut). Si pasojë e aksidentit, përveç dëmeve materiale, dy persona kanë pësuar lëndime trupore”, ka thënë Veseli.

Ai ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore relevante si dhe autoambulanca, të cilat kanë ofruar ndihmën e nevojshme për të lënduarit.

“Rasti është duke u trajtuar nga njësitet përkatëse të trafikut rrugor”, ka thënë Veseli. /IndeksOnline/