Aksident në Leposaviq, lëndohen gjashtë persona

Gjashtë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku të mërkurën në rrugën Leposaviq-Jarinjë, përkatësisht në fshatin Kamen të Leposaviqit.
Lajmin e ka konfirmuar për Indeksonline zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani, i cili ka thënë se pesë nga të lënduarit janë shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe një shtetase e Kosovës.
Elshani ka thënë se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.
“Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor Mitrovicë Veri, me datë 05.03. 2025, rreth orës 13:20, është njoftuar për një aksident në magjistralen Leposaviq-Jarinjë përkatësisht në fshatin Kamen, Leposaviq. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente të Njësitit Rajonal të Trafikut Rrugor (NJRTRR), zjarrfikësit si dhe shërbimi emergjent mjekësor. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Si pasojë e këtij aksidenti, lëndime kanë pësuar gjashtë) persona, 5 shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe 1 shtetase e Kosovës. Të gjithë personat e lënduar janë dërguar në Spitalin Rajonal Mitrovicë dhe të njëjtit janë duke pranuar trajtim mjekësor”, ka thënë Elshani. .