Aksident në Ferizaj, vetura bie në lumin Nerodime, e merr uji të tërën

Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 12:00 në rrugën “Epopeja e Jezercit” në Ferizaj. Vetura Golf 4 e cila është aksidentuar ka dalë tërësisht nga rruga, duke rënë kështu në Lumin Nerodime.
Vetura është fundosur tërësisht në lum. Ndërkaq vozitësi i veturës ka arritur të shpëtojë, pasi që kishte dalë nga vetura, e cila pas pak çastesh ishte fundosur.
Një qytetar i cili kishte qenë në vendin e ngjarjes ka thënë për Indeksonline se ata kishin arritur ta shpëtonin shoferin, i cili ishte një burrë i moshuar, i cili po shkonte në dializë.
Nga pamjet të cilat i posedon Indeksonlione shihet vetura e cila pas rënies në lum është fundosur tërësisht, duke e marrë kështu rrjedha e ujit./Indeksonline/