22:18 / E Hënë, 13 Shtator 2021 / FG

Aksident tragjik në Greqi! Bie avioni me pasagjerë izraelitë, dy viktima deri tani

Një avion privat ka rënë në afërsi të ishullit grek Samos mbrëmjen e sotme.

Mësohet se avioni kishte  pasagjerë izraelitë, pasi ishte një fluturim nga Izraeli.

Piloti kishte njoftuar zbritjen në aeroportin e Samosit, ndërsa rënia e avionit ndodhi pak milje para uljes në pistë, 200-500 metra nga bregu i detit.

Në zonë fryn erë por kushtet e fluturimit ishin normale, ndërsa dyshohet për defekt teknik.

Avioni “Cesna 172” është me 4 vende, por ende nuk dihet se sa persona kanë qenë në bord.

Mësohet se janë gjetur dy viktima deri tani,  një vajzë dhe një djalë, ndërsa në zonë janë ekipet e shpëtimit të Frontex dhe rojës bregdetare greke.

Top Channel ka siguruar video në zonën e kërkimeve në vendin e quajtur “Ngushtica e Mikalit”, e cila ndodhet mes brigjeve greke dhe turke.