Aksidenti afër Skenderajt, dy persona të lënduar (Video)

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Klinë e Epërme të Skenderajt, ku një veturë ka përfunduar e rrotulluar me katër rrotat përpjetë.
Pamje nga vendi i ngjarjes janë dërguar në adresë të IndeksOnline nga qytetarë të rastit, ku shihet qartë vetura e dëmtuar rëndë pas përplasjes.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka konfirmuar se në aksident janë përfshirë dy vetura dhe si pasojë janë lënduar dy persona.
“Aksident trafiku me lëndime i shkaktuar sot rreth orës 14:00 në rrugën rajonale, segmenti rrugor në fshatin Klinë të Skenderajt. Në aksident janë përfshirë dy vetura, ku përveç dëmeve materiale lëndime ka pësuar një person”, thuhet në konfirmimin fillestar.
Ndërkohë, burime të IndeksOnline bëjnë të ditur se në total janë dy persona të lënduar, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor. Gjendja e tyre për momentin nuk dihet saktësisht.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e këtij aksidenti./IndeksOnline/