12:13 / E Shtunë, 04 Maj 2019 / indeksADMonline

Aksidenti me vdekje në Shqipëri, arrestohet shoferi që bëri parakalim të gabuar

Policia e Elbasanit ka arrestuar njërin nga shoferët e përfshirë në aksidentin e një dite më parë në Peqin, ku humbi jetën një grua dhe u plagosën 2 persona të tjerë. Policia bën me dije se ka vënë në pranga shoferin e makinës ”Toyota” me inicialet F.H, për shkak se ka bërë parakalim të gabuar. 27-vjeçari u fut në një parakalim, në një pjesë të rrugës ku nuk lejohej.

Ai do akuzohet për “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”. Aksidenti i rëndë në Peqin, bëri që një 65-vjeçare të humbë jetën. Familja nga Korça ishte duke u kthyer nga një dasëm, por u përfshinë në aksidentin e rëndë.

Njoftimi i Policisë:

Në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me aksidentin e ndodhur me datë 03.05.2019 në aksin rrugor Peqin – Rrogozhinë, në përfundim të veprimeve të para të kryera nga Specialisët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan, u bë arrestimi i shtetasit:

F.H.,27 vjeç, banues në Korçë, pasi duke drejtuar mjetin tip “Toyota” është përplasur me një mjet tjetër dhe si pasojë ka gjetur vdekjen shtetasja F.B., 65 vjeçe, banuese në Korçë, si dhe janë dëmtuar dhe dy shtetas të tjerë, jashtë rrezikut për jetën, të cilët ishin pasagjer në mjetin “Toyota”.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.