Aksidenti në veri, Sindikata me thirrje urgjente për t’ua siguruar mbulimin shëndetësor policëve

Sindikata e Policisë së Kosovës u ka bërë thirrje urgjente akterëve shtetërore për të siguruar mbulimin shëndetësor për punonjësit e Policisë.
Sindikata ka thënë se çështja e sigurimit shëndetësor është ngritur prej kohës, por se institucionet nuk kanë arritur të ofrojnë zgjidhje konkrete.
“Duke shprehur shqetësimin për këtë ngjarje, Sindikata bën thirrje urgjente drejtuar të gjithë akterëve shtetërorë për të siguruar mbulimin shëndetësor për punonjësit e Policisë së Kosovës. Sindikata i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesën që të ndërmerren masa të menjëhershme për sigurimin e mbështetjes shëndetësore për policët. Kjo kërkesë vjen si pasojë e një vetaksidenti të fundit, ku një automjet policor pësoi aksident, duke lënë të lënduar tetë zyrtarë policorë. Ngjarje të tilla, që po përsëriten shpesh, theksojnë mungesën e një mbulimi të duhur shëndetësor për ata që çdo ditë përballen me rreziqe të larta në shërbim të vendit”, thuhet në komunikatën e sindikatës.
Ndërsa, ka theksuar tutje se sigurimi shëndetësor për policët është urgjent dhe i domosdoshëm.
“Sindikata thekson se sigurimi i mbështetjes së plotë shëndetësore për policët është urgjente dhe e domosdoshme, jo vetëm për mirëqenien e tyre, por edhe për garantimin e efikasitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve.
Çështja e sigurimit shëndetësor për policët është ngritur prej kohësh, por deri më tani, institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të ofrojnë një zgjidhje konkrete. Sindikata e Policisë së Kosovës mbetet e përkushtuar që të vazhdojë të angazhohet për të drejtat dhe mirëqenien e punonjësve të saj, duke kërkuar nga institucionet e Republikës së Kosovës që t’i japin kësaj çështjeje prioritetin që meriton”, thuhet ne njoftim.