75 Mall Live Search
12:00 / E Mërkurë, 21 Janar 2026 / L A

Aksidenti tragjik në Spanjë, konfirmohet vdekja e babait të futbollistit të Getafes

Numri i viktimave nga aksidenti tragjik hekurudhor në Adamuz vazhdon të rritet në Spanjë, pas tragjedisë së ndodhur të dielën mbrëma. Mes pasagjerëve që udhëtonin atë natë ishte edhe babai i futbollistit të Getafes, Davinchi.

Të hënën mbrëma u konfirmua se dy trena kishin dalë nga shinat, me njërin që ishte përplasur me tjetrin, në zonën pranë Adamuzit, në Kordobë. Aksidenti, më i rëndi hekurudhor në Spanjë në dekada, ka marrë tashmë 42 jetë, ndërsa dhjetëra persona të tjerë rezultojnë ende të zhdukur dhe qindra janë plagosur.

Mes udhëtarëve ishte edhe David Cordon, babai i anësorit të Getafes, Davinchi. Cordon kishte pasur një karrierë të suksesshme si futbollist, duke luajtur për Atletico Madridin, Sevillan dhe Recreativo de Huelvan, klubi ku Davinchi nisi karrierën e tij. Ai ishte gjithashtu kampion evropian me Spanjën në futbollin e plazhit në vitet 2001 dhe 2004.

Sipas Cadena SER, ai po kthehej nga Madridi pasi kishte ndjekur ndeshjen e djalit të tij në “Coliseum”, ku Getafe u mposht nga Valencia. Davinchi aktualisht po rikuperohet nga një dëmtim i meniskut.

Të mërkurën mbrëma, Getafe konfirmoi se Cordon kishte ndërruar jetë, pasi ishte dërguar në spital për shkak të lëndimeve të pësuara në aksident.