Aksidentohet eskorta e kryeministrit të Malit të Zi
Tre oficerë policie u plagosën në një aksident trafiku që ndodhi në qytetin Skrbushë në Mal të Zi, në rrugën Mateshevo-Kolashin, ndërsa po shoqëronin kryeministrin malaziaz Millojko Spajiq.
Policia konfirmoi se kryeministri, si person i mbrojtur, nuk ndodhej në automjetin e përfshirë në aksident, por në një makinë tjetër eskorte.
Sipas raportimeve të medias, oficerët e policisë pësuan lëndime të rënda, por jo kërcënuese për jetën. Pas aksidentit, ata u transportuan në Qendrën Klinike të Malit të Zi, ku morën ndihmë mjekësore, shkruan Indeksonline.
Aksidenti ndodhi rreth orës 16:30. Mjeti tjetër, një BMW me targa të huaja, mbante në bord një shtetas ukrainas 21-vjeçar me inicialet VS.
Sipas informacioneve të para nga policia, dyshohet se drejtuesi i BMW-së, duke lëvizur përgjatë rrugës rajonale R-13 nga drejtimi i Podgoricës drejt Kolashinit, në pjesën ku ndalohet tejkalimi për shkak të vijës së plotë, për arsye të panjohura ka kaluar në korsinë e kundërt të trafikut dhe me pjesën e përparme të automjetit ka goditur Mercedesin zyrtar të shoqëruesit të kryeministrit, i cili po vinte nga drejtimi i kundërt.
Mjeti i parë nga shoqëruesit e kryeministrit, i drejtuar nga oficeri i policisë MK, u përfshi në aksident dhe në makinë ndodheshin dy policë të tjerë. Të tre u plagosën dhe u trajtuan në spital./Indeksonline/

