Aksidentohet nëndetësja egjiptiane, raportohet për të vdekur

Të paktën gjashtë persona kanë vdekur dhe nëntë janë plagosur, në një aksident të nëndetëses turistike në Detin e Kuq, pranë resortit egjiptian të Hurghadasë.
Mes të plagosurve, katër persona janë në gjendje kritike, ndërsa 29 pasagjerë u shpëtuan dhe u transportuan në spitalet e afërta, shkruajnë mediat ndërkombëtare.
Mendohet se në momentin e aksidentit në nëndetëse ndodheshin rreth 40 turistë.
Sipas informacioneve nga korrespondentët e BBC-së në Kajro, nëndetësja quhej “Sindbad” dhe u mbyt pranë portit të Hurghadasë.
Nëndetësja Sindbad ka vite që transporton turistë për të eksploruar botën nënujore të Detit të Kuq dhe sipas faqes së internetit të kompanisë që e operon, është një nga 14 nëndetëset e vërteta turistike në botë.
Kapaciteti i ekuipazhit të saj është 44 pasagjerë dhe zbret në një thellësi prej 25 metrash, duke ofruar pamje prej rreth 500 metrash të shkëmbinjve koralorë përmes dritareve të mëdha rrethore.