75 Mall Live Search
18:50 / E Premte, 12 Shtator 2025 / F.R

Aksion i Doganës në Ferizaj: Kapen barna të kontrabanduara në barnatore dhe banesa private

Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë ndërmarrë sot një aksion në Ferizaj, pas pranimit të informatave nga qytetarët për prezencën e barnave pa banderola të Republikës së Kosovës.

Aksioni është zhvilluar në dy barnatore dhe dy banesa private, ku gjatë kontrollit është zbuluar një sasi e konsiderueshme e barnave të kontrabanduara nga vende të ndryshme.

Sipas njoftimit të Doganës, këto barna ishin të strehuara në kushte të papërshtatshme për ruajtje, duke paraqitur rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve.

Për rastin është njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe, me urdhër të Prokurorit, është duke u intervistuar pronari i barnatoreve nga zyrtarët e Hetuesisë së Doganës së Kosovës.

Doganat e Kosovës kanë theksuar përkushtimin e tyre të vazhdueshëm në luftën kundër kontrabandës dhe në mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës./IndeksOnline/