Aksion i policisë në një vilë në Shkup, arrestohen 29 persona, mes të arrestuarve një biznesmen dhe një DJ

Pandemia e koronavirusit duket se nuk po i ndal dot as festat dhe shkeljen e rregullave nga personazhet ‘VIP’. Policia gjatë ditës së djeshme ndaloi festën në një vilë në Vollkovë të Shkupit, ku u prangosën 29 persona mes tyre një DJ dhe pronari i shtëpisë.
Të gjithë janë çuar në stacion policor, për shkak të dyshimeve se kanë kryer vepër penale mosveprim sipas udhëzimeve shëndetësore në kohë pandemie.
“Gjatë kontrollit të DJ është gjetur edhe një lëndë pluhuri,”- ka njoftuar zyrtarisht policia, por nuk e ka bërë me dije emrin e tij.
Kjo është festa e dytë gjatë dy ditëve që është ndaluar nga policia. Të premten në një banesë në Shkup u arrestuan 13 persona. Edhe këtu policia gjeti drogë, kokainë, marihuanë, ekstazi, amfetamina dhe droga të tjera.
Për shkak të koronavirusit, qeveria ka ndaluar grupimet dhe organizimet e festimeve në për të parandaluar edhe përhapjen e pandemisë.