11:49 / E Enjte, 08 Qershor 2023 / LB

Aksionarët e NPB-së anulojnë projektin afaristo-banesor në Lakrishtë

Pas më shumë se dy vitesh, ka marrë epilog final kontesti për projektin afaristo-banesor të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) në Prishtinë.

Aksionarët komunalë të Ndërmarrjes Publike Banesore kanë vendosur sot për anulimin e kontratës.

Në një konferencë për media të enjten, aksionari i NPB-së, Leutrim Retkoceri nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, tha se vendimi për anulimin e projektit bazohet mbi vlerësimin e Zyrës Ligjore të Komunës së Prishtinës.

Retkoceri tha se Zyra Ligjore e komunës ka konkluduar se projekti është në kundërshtim me rregulloret në fuqi të NPB-së.

“Kontrata në fjalë duhet të drejtohet në organet kompetente lidhur me të. Ne kemi gjetur rrugën e duhur ligjore për të kontestuar këtë kontratë. Siç jeni në dijeni, së fundmi ka pasur bastisje nga Policia e Kosovës për ish-zyrtarë të NPB-së mbi dyshimet se kanë lidhur kontratë me procedura të përshpejtuara lidhur me projektin afaristo-banesor në lagjen Lakrishtë”, tha ai.

“Pas pranimit të opinionit ligjor nga Zyra Ligjore e Komunës së Prishtinës, përmes së cilët janë dhënë konkluzionet se ndërtimi është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, ne aksionarët, kemi nxjerr vendim si në vijim: Anulohet vendimi i datës 27.04.2021 i komisionit komunal të aksionarëve për miratimin e draft-marrëveshjes kryesore për bashkëinvestim të propozuar në mbledhjen e datës 22.04.2021 nga Kryeshefi Ekzekutiv”, deklaroi Retkoceri.

Lidhur me rastin, NPB-ja është ballafaquar në gjykatë edhe me padi nga Qeveria e Kosovës, por rastin e ka fituar me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Projekti për objektin afaristo-banesor në “Lakrishtë”, i cili është iniciuar nga NPB-ja dhe do të ndërtohet në partneritet publiko-privat, ishte pezulluar pas padisë së ushtruar nga Ministria e Ambientit.

Vendimin për pezullim e kishte nxjerrë Ministria e Ambientit në muajin tetor të vitit të kaluar, pas dyshimeve të ngritura për shkatërrim mjedisor përmes azbestit, gjatë rrënimit të objekteve që ndodheshin në pronën e NPB-së.

Kontrata, përmes Avokaturës Shtetërore, është dërguar me Kallëzim Penal në Prokurori Speciale e cila veten e ka shpallur jo kompetente dhe është iniciuar rast në Gjykatën Themelore për anulimin e kontratës.