Aksione të shtuara në trafik, policia e Gjilanit ndëshkon qindra ngasës

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë rajonale të trafikut rrugor dhe stacioneve policore, ka ndërmarrë aktivitete të shumta gjatë periudhës kohore nga 6 deri më 12 qershor 2025, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor.
Gjatë kësaj jave janë shqiptuar gjithsej njëmijë e pesëqind e shtatëdhjetë (1570) gjoba për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit.
Po ashtu, janë hetuar njëzet e dy (22) aksidente me dëme materiale dhe dhjetë (10) aksidente me persona të lënduar. Në të njëjtën periudhë, janë shqiptuar masa të ndalimit për drejtimin e mjeteve motorike ndaj njëzet e nëntë (29) ngasësve.
Policia apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe ligjet në fuqi, të ulin shpejtësinë, të mos përdorin telefonin gjatë ngasjes, të vendosin rripin e sigurimit dhe të tregojnë kujdes ndaj këmbësorëve. Po ashtu, këmbësorët ftohen të përdorin vijat e bardha për kalimin e rrugës dhe të respektojnë sinjalistikën dhe semaforët.
Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët. Policia e Gjilanit fton qytetarët të ndihmojnë në parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës.