Aksioni anti-drogë/ Policia arreston tre të dyshuar

Zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, Njësia e Prizrenit, pas një punë hetimore në teren, nën dyshimin për përfshirje në trafikim me lëndë narkotike, kanë arrestuar të dyshuarin H.K., (viti i lindjes 1994, mashkull kosovar).
Në konsultim me prokurorin janë kontrolluar dy lokacione, përkatësisht banesat e të dyshuarit.
Gjatë kontrollimit në njërën banesë janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë si në vijim: substancë narkotike, dyshohet të jetë e llojit kokainë, me peshe 4 kg e 440 gr., dy peshore, 260 euro dhe dëshmi tjera relevante për rastin.
Po ashtu, në pikëkalimin kufitar Hani i Elezit janë arrestuar edhe dy të dyshuar tjerë: I.H., viti i lindjes 1968 dhe e dyshuara E.R., viti i lindjes 1995.
Janë konfiskuar edhe dy vetura, njëra me targa belge e tjetra vendore.
Ndaj të dyshuarave është iniciuar rasti ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’.
Lidhur me rastin tre të dyshuarit me aktvendim nga prokurori janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë.