Aksioni antidrogë në Ferizaj, Policia tregon çfarë u sekuestrua
IndeksOnline ka raportuar më herët për një aksion të Njësisë Antidrogë në Ferizaj, ku është bërë e ditur se janë sekuestruar mbi 4 kilogramë kokainë. Rasti tashmë është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Ferizaj, në koordinim me Prokurorinë dhe në bashkëpunim me zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka realizuar më 12 dhjetor 2025 operacionin policor të koduar “Kulla”, që kishte për qëllim arrestimin e personave të dyshuar për trafikim me lëndë narkotike.
Gjatë operacionit, hetuesit janë mbështetur edhe nga DHTN Prishtinë, Njësitë Speciale dhe njësi të tjera mbështetëse policore.
Si rezultat i aksionit, janë arrestuar katër persona:
A.L. (Shqipëri, 1973),
M.B. (Shqipëri, 1971),
A.B. (Kosovë, 1997),
A.B. (Kosovë, 1993),
Ndërsa dy të dyshuar të tjerë ndodhen ende në arrati.
Policia ka konfiskuar si prova materiale:
4,620.4 gramë substancë narkotike e dyshuar kokainë, e mbështjellë në katër paketime, me vlerë tregu rreth 140 mijë euro;
një pistoletë me 14 fishekë;
dy telefona celularë;
para të gatshme në euro, lekë dhe dollarë kanadez;
dy automjete dhe një motor katër-rrotësh.
Të dyshuarit janë intervistuar dhe, me aktvendim të prokurorisë, janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë./IndeksOnline/

