75 Mall Live Search
10:06 / E Enjte, 18 Dhjetor 2025 / KV

Aksioni i Krimeve Ekonomike: Ushtronin veprimtari mjekësore pa leje, policia ndërhyn dhe sekuestron barna

Njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë zhvilluar veprime hetimore lidhur me dyshime për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore-farmaceutike.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, hetimet janë ndërmarrë ndaj disa personave të dyshuar për aktivitete të paligjshme që ndërlidhen me ofrimin e shërbimeve mjekësore dhe farmaceutike pa autorizim ligjor. Me urdhëresa përkatëse, policia ka realizuar kontrolle në disa lokacione, ku janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të produkteve medicinale, regjistra të ndryshëm të klientëve dhe shërbimeve të ofruara, si dhe pajisje elektronike, përfshirë llaptopë, njësi kompjuterike dhe DVR të kamerave të sigurisë.

Në kuadër të këtij rasti, në cilësi të personave të dyshuar janë intervistuar njëmbëdhjetë (11) persona në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa katër (4) personave të tjerë u është lënë ftesë për t’u paraqitur në organet e hetuesisë.

Me vendim të prokurorit të rastit, të gjithë të dyshuarit janë liruar, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt. Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti./IndeksOnline/