75 Mall Live Search
09:33 / E Hënë, 21 Prill 2025 / k.v

Aksioni i policisë në Kaçanik për vrasjen e rreshterit Lika: Shtatë të arrestuar, dyshohet se janë pjesë e një grupi ekstremist

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka realizuar një aksion të befasishëm në Kaçanik herët në mëngjes, lidhur me hetimet për vrasjen e rreshterit të Policisë, Muhamed Lika, që tronditi opinionin publik disa javë më parë.

Burime të IndeksOnline të afërta me aksionin bëjnë të ditur se gjatë operacionit janë arrestuar shtatë persona, të cilët dyshohet të jenë pjesë e një grupi ekstremist. Ata janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim, dhe pas përfundimit të marrjes në pyetje, do të merret një vendim për ndalimin apo lirimin e tyre.

Policia e Kosovës, përmes zëdhënësit Baki Kelani, ka konfirmuar se aksioni është i lidhur me vrasjen e rreshterit Lika.

“Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante, pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik. Pas përfundimit të operacionit, do të bëhen publike informacione shtesë”, ka deklaruar Kelani.

Hetimet për vrasjen e rreshterit Lika vazhdojnë të mbeten të hapura, ndërsa dy të rinj të dyshuar për këtë krim janë identifikuar përmes pamjeve të kamerave të sigurisë. Prokuroria po punon për të zbardhur motivet e vrasjes dhe për të identifikuar të gjithë ata që mund të kenë pasur rol në këtë akt të rëndë.

IndeksOnline do të vazhdojë të raportojë për çdo zhvillim të ri në lidhje me hetimet dhe aksionin në Kaçanik.