20:24 / E Enjte, 05 Nëntor 2020 / B O

Aktakuza ndaj Thaçit, Fevziu: Serbia e ka të pamundur të negociojë me ish-luftëtarë

Gazetari Blendi Fevziu në një intervistë me gazetaren Jonida Shehu në ABC Radar ka deklaruar se ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nuk po thirret në Gjykatën e Hagës për të sotmen por për të shkuarën e tij. Ndalur në këtë pikë, Fevziu argumentoi se ndaj Thaçit rëndojnë akuza për komandimin e UÇK-së e cila çoi në çlirimin e Kosovës. Ai artikuloi edhe një teori sipas të cilës në Hagë po thirren të gjithë ata që kanë qenë luftëtarë pasi Serbia e ka të vështirë të bëjë marrëveshje me ta.

“Po akuzohen kolona politike në Kosovë. Mund t’i ftonte edhe të veçuar sepse ata nuk kanë një akuzë të përbashkët. Të gjithë kanë shkuar për t’u intervistuar në Hagë. Unë këtë show mediatik nuk e kuptoj dot. Gjykata Speciale nuk është forca politike. Ka të drejtë të gjykojë faktet nëse janë apo jo të vërteta. Gkykata nuk mund të bëjë show, nuk vepron me deklarata politike por në mënyrë institucionale.

Është një version pastrimi i skenës politike të Kosovës por gjithsesi këtu jemi në teori konspirative. Serbia e ka shumë të vështirë të bëjë marrëveshje me ish-luftëtarë. Hashim Thaçi dhe një pjesë tjetër nuk po dënohen për krime individuale. Këta njerëz akuzohen për linjën e komandimit për krime kundër njerëzimit. Unë gjykoj që deri sot se të gjitha gjykatat në Kosovë nuk kanë arritur në këtë përfundim. Kanë dënuar individë për krime të tyre. Por tani po flasim për një linjë politike. Hashim Thaçi dhe të tjerët nuk po dënohen për të sotmen e tyre, por për të djeshmen. Thaçi nuk po dënohet si politikan, por sepse i është bashkuar UÇK-së dhe udhëhoqi atë drejt një fitoreje të çlirimit të vendit”, tha Fevziu.

Ai tha se ky proces do të “ngrijë” në një farë mënyre edhe dialogun Kosovë-Serbi pasi ky proces nuk mund të vazhdojë me një president të komanduar që nuk ka mbështetjen e asnjë partie të madhe politike në vend. Fevziu paralajmëroi arrestime të tjera, ndërsa u shpreh se për të akuzuarit nuk ka prova të reja.

“Për momentin nuk mund të shkosh në bisedime me president të komanduar që nuk ka mbështetjen e asnjë prej partive në pushtet apo të opozitës. Në momentin e parë duket si favorizim. Besoj se ndjenjat që mund të sjellin lëvizje të tilla mund të sjellë një ndryshim. Nuk besoj se dikush në Kosovë nuk do ta uronte këtë gjë. Kjo është një betejë e gjatë që do të zgjasë me vite.

Shqipëria nuk ka asnjë rol. Nuk ka çështje për Shqipërinë. Çështja e Shtëpisë së Verdhë nuk ekziston. Çështja nuk mund të zgjidhet në asnjë formë tjetër përveç rrugës së drejtësisë. Mund të zgjasë me vite. Unë besoj që nuk vërtetojnë diçka të re dhe nuk besoj se ka prova të reja. Të jesh përgjegjës për diçka që kanë bërë të tjerët, kjo duhet të vërtetohet”, deklaroi Fevziu.