Aktakuza se 99 bagazhe kaluan pa kontroll në Aeroport, mbahet seanca ndaj 4 zyrtarëve

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e radhës ndaj zyrtarëve të Aeroportit “Adem Jashari”, të akuzuar për korrupsion.
Sipas aktakuzës, Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj, në cilësinë personave zyrtarë të licencuar operatorë për X-Ray dhe i akuzuari Martin Biserov-Alekov, në cilësinë e inxhinierit të elektronikës dhe në cilësinë e mbikëqyrësit automatik në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kishin keqpërdorur detyrën zyrtare.
Në fjalën hyrëse prokurori tha se kjo aktakuzë është e bazuar në prova dhe ka kërkuar nga gjykatësi administrimin e provave, transmeton IndeksOnline.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e të dëmtuarit e Aeroportit, Leonora Zejnullahu tha se tërhiqet nga ndjekja penale ndaj të gjithë të pandehurve, me arsyetimin se nuk është bërë vepër penale dhe nuk ka të dëmtuar.
Sipas aktakuzës, 18 gusht 2019, derisa kishte qenë greva e punëtorëve të këtij aeroporti, në pjesën ku ishte bërë monitorimi i dy pajisjeve LRDX1 dhe LRDX2 për kalimin e bagazheve të udhëtarëve, të akuzuarit Gurguri dhe Bujupi nuk e kishin monitoruar punën e pajisjeve në monitor, ndërsa Xhekaj nuk e kishte monitoruar zonën sterile të aeroportit për largimin e valixheve.
Për shkak të këtyre mosveprimeve, thuhet se valixhet kishin rezultuar si të dyshuara nga pajisjet e lartcekura, me ç’rast pajisjet ishin bllokuar prej ngarkesës së bagazheve dhe në mungesë të operatorëve X-Ray.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari Biserov-Alekov, si mbikëqyrës i pajisjeve që lëvizin në aeroport për bartjen e valixheve, kishin ndërhyrë duke e hapur barrierën dhe lëshuar trakën që bagazhet të kalojnë nëpër pajisjen VIS HR, i cili hyn në funksion vetëm në rastet rezervë.
Kështu, aktakuza thotë se 99 bagazhe kishin kaluar në këtë mënyrë duke u ngarkuar në depo të aeroplanit nga ana e të akuzuarit Biserov-Alekov, si të dyshuara dhe të kontaminuara dhe po ashtu ishin ngarkuar edhe 6 bagazhe të ndara, të dyshuara, të cilat ishte dashur të rikontrollohen nga operatori X-Ray.
Katër të akuzuarit me këto veprime, sipas Prokurorisë, kishin rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Republikës së Kosovës në arenën Ndërkombëtare.
Prokuroria katër të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.