75 Mall Live Search
11:05 / E Premte, 30 Dhjetor 2022 / AR

Aktakuzë kundër 8 personave për përfshirje në rrahjen e djalit të Nenad Rashiç

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se pas zhvillimeve të hetimeve, Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave të cilët dyshohen se janë përfshirë në rrahjen e djalit të Ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç.

Lajmi është konfirmuar përmes një komunikate për media.

“Pas mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve C.Z., L.K., B.Z., D.N.,M.J., D.R. dhe N.R., pasi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”, ndërsa ndaj të pandehurit M.R., për shkak të veprës penale “Lëndimi i rëndë trupor”.

Kujtojmë se ky rast kishte ndodhur në fshatin Llapnasellë në Graçanicë përkatësisht në afërsi të shkollës fillore “Miladin Mitic”.

Ndërsa, nga Prokuroria janë sqaruar edhe rrethanat e ngjarjes.

“Për shkak të një mosmarrëveshjeje paraprake, i mituri fillimisht e shtynë të pandehurin N.R., ndërkaq ky i fundit e godet me grusht në fytyrë dhe në këtë mënyrë fillon rrahja në mes të dy grupeve të të pandehurve, ku si rezultat i rrahjes, i pandehuri N.R., pëson lëndime të rënda trupore, ku me këtë të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”, nga neni 187 të KPRK-së”.

Nga Prokuroria është kërkuar që të njëjtit të shpallën fajtorë dhe të dënohen.

“Me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore gjatë rrahjes, me mjet të fortë dhe të përshtatshëm, i pandehuri M.R., e godet në fytyrë N.R., i cili si rezultat i goditjes ka pësuar lëndime të rënda trupore-me dëmtim të përhershëm të shëndetit, andaj, Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallet fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë”.

Kjo ngjarje kishte ndodhur në muajin shkurt të këtij viti.

Ndryshe më 1 dhjetor, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte emëruar Nenad Rashiç-in, Ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Republikës së Kosovës.