13:52 / E Enjte, 18 Shkurt 2021 / OSH

Aktakuzë ndaj drejtorit Bekim Bajrami, lëshoi leje ndërtimi për dy kompani

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për krime të rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Bekim Bajrami për shkak të veprës penale: ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri gjatë vitit 2019, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, frejtor në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, në Komunën e Gjilanit, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, duke anashkaluar interesin e institucionit, ku në kundërshtim me destinimin e planifikuar sipas planit rregullues “Livadhet e Arapit’’, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore për dy kompani ndërtimi.

Prokuroria Themelore në Gjilan, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës kompetente në Gjilan, që të pandehurin ta shpallë fajtor për këtë vepër penale dhe atij t’ia shqiptojë edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.