14:04 / E Mërkurë, 23 Tetor 2019 / indeksADMonline

Aktakuzë ndaj një serbi në Shtërpcë, dyshohet se udhëzoi disa persona ta votonin Listën Serbe

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër një personi të pandehur me inicialet D.SH.,i komunitetit serb,  nga Komuna  e Shtërpcës, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ai kishte kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” nga neni  210 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri D.SH.,  më 6 tetor 2019, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në qendrën e votimit me numër 2306D, në fshatin Jazhincë, Komuna Shtërpcë, ka shfrytëzuar varësinë ekonomike dhe profesionale të votuesve, duke ndikuar tek ata duke ua dhënë disa fletëvotime në formë të udhëzimeve që të votonin për kandidatët e partisë politike “Lista srpska”.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet  sipas ligjit për veprën penale e cilat i vihet në barrë.

Gjithashtu, Prokuroria Themelore e Ferizajt, ju njofton se është në pritje të shqyrtimit fillestar të seancës e cila është caktuar të mbahet më 30 tetor 2019./Indeksonline/