Aktakuzë ndaj tre personave për fajde, viktimës i shkaktohet një dëm prej mbi 100 mijë eurosh

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për veprat penale: “Fajdeja”, “Detyrimi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas njoftimit, të pandehurit P.T. dhe A.G. akuzohen për veprën penale “Detyrimi”, ndërsa i pandehuri M.A. për “Fajde” dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”.
Nga hetimet e prokurorisë, rezulton se gjatë viteve 2022–2023, P.T. dhe A.G. kanë detyruar viktimën B.P. të ndërmarrë veprime në dëm të pasurisë së tij me qëllim përfitimi të kundërligjshëm.
Në aktakuzë thuhet se P.T. e kishte autorizuar viktimën për shitjen e një lokali në pronësi të tij, duke e mashtruar se i ishte bllokuar llogaria bankare. Viktima kishte lidhur kontratë shitjeje me A.G. në vlerë 150 mijë euro, por ky i fundit, me arsyetimin se kontrata nuk ishte realizuar, e kishte kanosur dhe detyruar të paguante shuma të mëdha parash.
Ndërkohë, i pandehuri M.A. kishte detyruar viktimën të kthente tri herë më shumë sesa shumën e borxhit që kishte marrë për shkak të gjendjes së tij të rënduar financiare.
Sipas prokurorisë, viktima është dëmtuar në shumën prej mbi 100 mijë eurosh.