75 Mall Live Search
13:49 / E Hënë, 02 Shtator 2019 / indeksADMonline

Aktakuzë për lëndim të rëndë trupor me pasojë vdekjen për rastin e gruas, nga Suhareka

Prokuroria Themelore e Prizrenit, Departamenti i krimeve të rënda, ka ngritur aktakuzë kundër I.H., i cili gjendet nën masën e paraburgimit nga 01.06.2019, për shkak të dyshimit të bazuar se kishte kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 186 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 2 dhe 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i akuzuari I.H., i shkakton lëndime të rënda trupore personit tjetër, deri në atë masë sa që ka rezultuar përveç rrezikimit të jetës edhe me vdekjen e personit. Më 31.05.2019 rreth orës 17:30, duke drejtuar veturën e tipit “Suzuki Wagon R+”, në dalje të fshatit Samadrexhë rreth 400 metra larg rrugës kryesore Suharekë – Rahovec, ku ishte me bashkëshorten e tij, tashti të ndjerën H.D., të ulur mbrapa sediljes së shoferit, me të cilën për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme fjalosen, ndërkohë, i akuzuari I.H., e ndalon automjetin në anën e djathtë të rrugës në drejtim të lëvizjes, pastaj, viktimën me forcë e nxjerrë jashtë dhe fillon ta sulmonte fizikisht me grushte në gjithë trupin, e më pas e ndjera H.D., rrëzohet në asfalt, kurse i akuzuari ia kap kokën dhe disa herë e godet për asfalt. Ndaj, si pasojë e goditjeve, e ndjera H.D., pëson të dëmtime e trauma në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, nga të cilat goditje vdes në QKUK në Prishtinë, më 15.06.2019.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri I.H., ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruara si më sipër. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.