Aktakuzë për rrëmbim, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe kanosje
Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurve G.G. dhe L.O., në drejtim të veprave penale “Rrëmbimi”, nga neni 194 paragrafi 2, nën paragrafi 2.1 dhe 2.3 të lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim i paautorizuar i armëve“ nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK, si dhe për veprën penale “Kanosje“ nga neni 185 paragrafi 2 i KPRK-së.
Prokuroria njofton opinionin se të pandehurit G.G. dhe L.O., më 24 shkurt 2019, në fshatin Llaushë të Skenderajt, me përdorimin e forcës dhe të kanosjes duke përdorur armën, e kanë marrë dhe mbajtur viktimën M.G., me qëllim që të mos e lirojnë para se i njëjti t’u ofrojë të pandehurve dobi pasurore.
Me këto veprime, të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Rrëmbimi”, nga neni 194 paragrafi 2 nën paragrafi 2.1 dhe 2.3 të lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, i pandehuri G.G., ka pasur në posedim armën e tipit “Skorpion”, dhe me veprimet e tij dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim i paautorizuar i armëve “nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK.
Ndërkaq, i pandehuri L.O., më 25 shkurt 2019, e ka thirrur dhe kërcënuar seriozisht viktimën M.G, me çfarë dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosje“ nga neni 185 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ti dënojë sipas ligjit.