75 Mall Live Search
20:22 / E Mërkurë, 28 Janar 2026 / Z S

Aktgjykimi i Kushtetueses, Limaj: E kam thënë, presidentja dha mandatar pas një akti antikushtetues

Gjatë ditës së sotme Gjykata Kushtetuse ka bërë të ditur se zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës është jo kushtetuse.

Lidhur me këtë ka reaguar kreu i Nismës, Fatmir Limaj. Sipas Limajt ky është një akt që prek vetë themelet e rendit kushtetues.

Postimi i plotë:

E kam thënë me kohë. Sot u vërtetua.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës konfirmoi se zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën.

Ky nuk është thjesht një detaj procedural.

Ky është një akt që prek vetë themelet e rendit kushtetues.

Kur një Kuvend konstituohet mbi një vendim antikushtetues, çdo veprim i mëvonshëm institucional, përfshirë dhënia e mandatarit dhe pastaj shpërndarja e Kuvendit bart pasojat e atij devijimi fillestar.

Presidentja e Republikës e ka pranuar një Kuvend të ndërtuar mbi një akt antikushtetues dhe mbi këtë bazë:

– është dhënë mandati për Kryeministër,

– është shpërndarë Kuvendi,

– dhe vendi është futur në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kjo përbën një zinxhir veprimesh të ndërtuara mbi një shkelje fillestare të rendit kushtetues.

Njëkohësisht, vonimi i publikimit të këtij aktgjykimi nga Gjykata Kushtetuese ngre një dyshim legjitim për kalkulim kohor politik, pasi ky vonim ka prodhuar pasoja reale dhe të pariparueshme për funksionimin e shtetit dhe besimin në rendin juridik.

Parimi i sigurisë juridike nuk mund të shndërrohet në mburojë për shkeljen e Kushtetutës.

Ai ekziston për të ruajtur stabilitetin, jo për të normalizuar paligjshmërinë.

Kushtetuta është themeli i Republikës.

Kur ajo shkelet, pasojat nuk janë teorike, ato janë shtetërore.

Për këtë duhet përgjegjësi.