Aktivistët e dënuar të VV-së shpresojnë për lirim nga Apeli
Më 17 nëntor të këtij viti, trupi i Gjykatës Themelore i drejtuar nga gjykatësi Beqir Kalludra ka shpallur fajtor katër të dyshuarit për sulmin me mortajë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë dënuar me një total prej 21 vjet e gjashtë muaj burg.
Atdhe Arifi është dënuar me gjashtë vite burg, Frashër Krasniqi me tetë vite, Egzon Haliti me pesë vite e gjysmë, ndërsa Adea Batusha me 2 vite burg.
E tashmë kanë kaluar dy javë që nga seanca gjyqësore e të akuzuarve lidhur me këtë rast por që Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk ka dorëzuar aktgjykimin në rastin e këtyre aktivistëve.
Këtë gjë e ka deklaruar vetë avokati mbrojtës, Tomë Gashi.
“Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk ka sjellë aktgjykimin në rastin e aktivistëve të Vetëvendosjes”, ka thënë Gashi për Indeksonline.
Gjithashtu Gashi ka shtuar se tashmë afatet ligjore kanë kaluar por që presin që pas apelimit në Gjykatën e Apelit, të marrin një vendim ndryshe nga ky i Themelores.
“Afatet ligjore kanë kaluar prej 15 ditësh sepse gjykimi ka përfunduar më 17 nëntor. Presim gjatë kësaj jave që të vije, të marrim aktgjykimin, të cilin do ta apelojmë dhe presim që Gjykata e Apelit të jetë më e drejtë dhe t’i lirojë aktivistët e VV-së nga paraburgimi, duke i shpallur të pafajshëm”, ka shtuar Gashi.
Duhet përkujtuar që njëri prej të akuzuarve në këtë rast, Frashër Krasniqi është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, e mund të rrezikohet edhe me humbje të mandatit të deputetit pas dënimit më 8 vite burgim./Indeksonline/