Aktorët e famshëm që janë nën hetim për përdorim droge

Një nga hetimet më të bujshme të viteve të fundit ka tronditur showbiz-in turk! Autoritetet kanë nisur një procedim ndaj 19 personazheve të famshëm, të dyshuar për përdorim të substancave narkotike.
Emrat që kanë përfunduar në listën nën hetim nuk janë aspak të panjohur për publikun: në mesin e tyre janë këngëtaret Hadise Açıkgöz dhe İrem Derici, aktoret Demet Evgar dhe Berrak Tüzünataç, si dhe influencueset Duygu Özaslan dhe Derin Talu.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme të Stambollit, hetimet janë hapur mbi bazën e nenit që lidhet me “përdorimin e substancave narkotike ose stimuluese” në Kodin Penal të Turqisë.
Megjithëse nuk janë lëshuar urdhra arresti, të gjithë personazhet janë thirrur për deklarata dhe për t’iu nënshtruar analizave të gjakut për testime toksikologjike.
Operacioni është kryer nga Komanda Provinciale e Xhandarmerisë së Stambollit, e cila ka shoqëruar VIP-at në qendra shëndetësore për marrjen e mostrave dhe më pas në zyrat e hetimit për dëshmi të detajuara.
Lista e emrave të përfshirë zgjerohet edhe më tej: Ziynet Sali, Kubilay Aka, Kaan Yıldırım, Mert Yazıcıoğlu, Metin Akdülger, Ceren Moray, Özge Özpirinçci, Engin Polat, Dilan Polat, Zeynep Meriç Aral, Birce Akalay dhe avokatja Feyza Altun janë gjithashtu nën lupën e drejtësisë.

Ligji turk nuk e konsideron automatikisht si krim të dënueshëm përdorimin personal të lëndëve narkotike. Në raste të tilla, personat mund të detyrohen të ndjekin trajtim, rehabilitim apo mbikëqyrje provizore, në varësi të vlerësimeve të ekspertëve dhe prokurorisë.
Për momentin, hetimet ndodhen ende në fazën fillestare, dhe gjithçka do të varet nga rezultatet e analizave toksikologjike që pritet të dalin në ditët në vijim.
Showbiz-i turk është përfshirë në një stuhi reagimesh, ndërsa mediat vendase e kanë cilësuar rastin si “një tronditje për elitën e famshme të Stambollit”.