Aktorët kërkuan trupë rezidente në Teatër, reagon Shpend Ahmeti

Kur të gjitha qytetet më të mëdha në vend kanë trupë rezidente të aktorëve në teatro, një gjë e tillë nuk ndodh edhe në Prishtinë.
Aktorët së fundi kanë kërkuar që edhe në Teatrin e Qytetit të Prishtinë të ketë një ekip të aktorëve rezident, shkruan Indeksonline.
Ndërsa, për këtë ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një statusi në Facebook.
Ahmeti tha se mungesa e trupës rezidente është totalisht e pakuptueshme dhe se Komuna e Prishtinë ka buxhet që ta ofrojë këtë.
Por, ai tha se ka dërguar shkresë në Ministrinë e Financave që të lejohet numër shtesë i punonjësve në Teatrin Dodona.
Tutje ai tha se prej janarit do të bëjnë rregullime të brendshme për të lejuar më shumë pozita për trupë rezidente të Prishtinës. Synimi është 20 artistë rezidentë. Ndërsa, konkursin do të jetë i hapur dhe transparent.
Më poshtë statusi i plotë:
Këto ditë kam marr dida mesazhe nga aktorët pët Teatrin e Qytetit. Ata kanë të drejtë.
Është totalisht e pakuptueshme se si të gjitha qytetet e mëdha në Kosovë kanë trupa rezidente dhe teatro të qytetit ndërsa Prishtina duhet të harrnohet me gjysëm pagesa vit për vit në Dodonë.
Problemi është i thjeshtë. Ne kemi buxhet, ne nuk po kërkojmë asgjë nga niveli qëndror, përpos të na lejojnë numër shtesë të punësuarve në Dodona. Për këtë kam dërguar disa shkresa në Ministri të Financave.
Çdo buxhet i Kosovës për çdo institucion të Kosovës e ka të caktuar buxhetin per Paga, NUMRIN e punëtorëve në çdo departament dhe këto nuk na lejojnë ti lëvizim.
Sivjet na kanë lejuar 5 vende shtesë por kjo nuk mjafton për trupë rezidente. Nuk duam gjysmë zgjidhje.
Në takimin që kam patur me Ministren e Financave, Hykmete Bajrami dhe Zv Ministrin Agim Krasniqi para një muaji, prapë na është thënë e njejta gjë.
Megjithatë, ne kemi vendosur të bëjmë lëvizje të brendshme. Në buxhetin e vitit 2021, pra prej janarit do të bëjmë rregullime të brendshme për të lejuar më shumë pozita për trupë rezidente të Prishtinës. Synimi është 20 artistë rezidentë.
Konkursin do ta bëjmë të hapur dhe transparent. Titullin e artistit rezident do ta bëjmë pozitë të arritshme për artistët ndër më të mirët.