75 Mall Live Search
21:15 / E Diele, 17 Gusht 2025 / AR

Aktori kritikon kulturën e anulimit, thotë se besimi ka më shumë rëndësi sesa ndjekësit

Aktori Denzel Washington ka bërë të qartë se ai nuk dëshiron të ketë të bëjë me kulturën e anulimit duke thënë se atij nuk i intereson aq shumë mbështetja publike apo ndjekësit.

Në një bisedë të nxehtë për podkastin Complex, aktori i njohur nxitoi ta vinte në dyshim termin “anulim”.

“Kujt i intereson? Çfarë e bëri mbështetjen publike kaq të rëndësishme që në fillim? Nuk më intereson kush po ndjek kë,” tha Washington, duke shtuar se ideja e ndjekësve ose mbështetjes publike në përgjithësi nuk është e rëndësishme, raporton KosovaPress.

“Nuk mund të udhëheqësh dhe ndjekësh në të njëjtën kohë, dhe nuk mund të ndjekësh dhe udhëheqësh në të njëjtën kohë. Unë nuk ndjek askënd. Unë ndjek Zotin, jo njeriun. Kam besim në Zot. Kam shpresë te njeriu, por shikoni përreth – nuk po funksionon aq mirë. Nuk mund të anulohesh.”

Fituesi i çmimit Oscar gjatë karrierës së shkëlqyer ka vazhduar të ketë ndikim të madh në Hollywood. Më parë këtë vit, aktori mori nominimin e tij të 11-të për Globin e Artë për filmin “Gladiator 2”, duke vendosur një rekord të ri si aktori me ngjyrë me më shumë nominime në historinë e ndarjes së çmimeve.

Aktori i “Training Day” më parë i kishte shqetësuar fansat e tij të apasionuar me thashethemet e tij për daljen në pension.

“Nuk thashë se do të pensionohesha. Jam më i interesuar të qëndroj pas kamerës. Mund ta kem përdorur fjalën ‘dal në pension’, por e shoh jetën në tri pjesë: mëson, fiton, kthehesh. Unë jam në pjesën e kthimit të jetës.”