75 Mall Live Search
09:00 / E Martë, 10 Shtator 2024 / AR

Aktori shihet në publik pas një kohe të gjatë

Aktori Bruce Willis është shfaqur rrallë në publik që kur u diagnostikua me afazi (çrregullim gjuhësor) dhe demencë.

Paparazzi-t tani e kanë filmuar atë duke udhëtuar nëpër Los Anxhelos me truprojat e tij. Aktori ishte ulur nga ana e pasagjerit. Ai ka veshur një këmishë dhe një kapele të zezë teksa ka vizituar lagjen Studio City, transmeton Indeksonline.

Familja flet rregullisht publikisht për gjendjen e tij

Aktori u diagnostikua fillimisht me afazi, një çrregullim gjuhësor, i cili bëri që ai të hiqte dorë nga aktrimi në mars të vitit 2022. Më pas, familja e Willis konfirmoi se sëmundja kishte përparuar në demencë. Edhe pse ai rrallë shfaqet në publik, familja e tij i përditëson rregullisht fansat për gjendjen e tij.

Së fundmi, vajza e tij Tallulah Willis tha se Bruce “ndihet njësoj, gjë që është mirë në situatën e tij”. “Vizitat tona kanë kaq shumë dashuri dhe mendoj se kjo tejkalon gjithçka”, shtoi ajo. Edhe pse gjendja e Bruce ka qenë e rëndë për të gjithë familjen, Tallulah thotë se kjo “krijoi mundësinë për më shumë dashuri mes tyre”./Indeksonline/