Aktori shqiptar tregon si u infektua me Covid-19: U shqetësova sepse nuk e prisja

Aktori i njohur i humorit Florjan Binaj ditën e djeshme deklaroi se ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Ai u shpreh se gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe nuk ka asnjë lloj simptome, si edhe është vetëizoluar. Në një lidhje live me emisionin “Open”, Binaj tregoi se kishte filluar të dyshonte se ishte prekur me Covid pasi kishte pak temperaturë.
“Gjendja ime shëndetësore është shumë e mirë siç edhe mund ta shihni. Nuk kam asnjë lloj simptome, as kollë, as temperaturë, as mungesë nuhatje dhe as mungesë në shije. Hyj tek asimptomatikët, thjesht duhet të bëj 10 ditëshin e ushtrisë, dënimin për krim të pa kryer, arrest shtëpie.
Bëra tamponin e famshëm. Unë nuk kuptova asgjë, thjesh bëra tamponin pa pasur shenja. Javës që shkoi pata pak temperaturë sepse shkova në plazh dhe nuk kisha marrë xhup me vete. Dhe kisha ftohtë si gjithë njerëzit e tjerë, me mëngë të shkurtra natën. Kisha pak temperaturë dhe fillova u bëra pak merak se nuk është se jemi në periudha të qeta. Për hir të familjes dhe punës duhet ta bëja testin.
E bëra dhe prita përgjigjen me qetësinë më të madhe. Kur mora përgjigjen në 7 të mëngjesit më thanë fatkeqësisht. U shqetësova sepse nuk e prisja, por jam i qetë sepse kam mungesë të simptomave. Po e kaloj shumë kollaj, organizmi po tallet në një farë mënyre”, tha Binaj sipas Xing.