Aktorja e njohur tregon përse nuk pranoi role të reja, pasi fitoi çmimin “Oscar”
Aktorja Lupita Nyong’o ka rrëfyer se pas fitimit të çmimit “Oscar” për rolin e saj debutues në “12 Years a Slave” në vitin 2014, Hollywood-i i ofroi sërish role të ngjashme, kryesisht si skllave.
Në një intervistë për CNN Inside Africa, ajo tha se priste role kryesore, por përballë këtyre ofertave vendosi të qëndronte besnike ndaj vlerave të saj.
“Sapo fitova Oscar-in, mendova se do të merrja role të reja, por më thanë: ‘Duam të luash sërish një skllave, këtë herë në një anije’”, tha Lupita. Ajo e përshkroi atë periudhë si të “brishtё”, pasi publikisht diskutohej nëse karriera e saj do të vazhdonte apo përfundonte aty.
Aktorja theksoi se nuk donte të ishte pjesë e projekteve që përforcojnë stereotipe për afrikanët. “Nëse duhet të bëj një punë më pak në vit për të mos i ushqyer këto pritshmëri, atëherë e bëj”, u shpreh ajo.
Vendimet e saj u shpërblyen shpejt, pasi mori role në “Non-Stop”, trilogjinë “Star Wars”, “The Jungle Book” dhe “Queen of Katwe”. Një nga rolet më të rëndësishme ishte ai i Nakias në “Black Panther”, ku luajti përkrah aktorit të ndjerë Chadwick Boseman.
Sipas E! News, Lupita dhe kolegia e saj Danai Gurira theksojnë se përfaqësimi afrikan në film kërkon përgjegjësi dhe se synimi i tyre ka qenë të portretizojnë gra të plota, komplekse dhe me forcë reale. “Forca nuk do të thotë mungesë cenueshmërie”, tha ajo. “Do të thotë aftësi për t’u përballur, për të kërkuar ndihmë dhe për të ecur përpara”.

