Aktorja thyen heshtjen pas humbjes së bashkëshortit
Rebecca Gayheart ka thyer heshtjen pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj, aktorit të njohur Eric Dane, i cili ndërroi jetë në moshën 53-vjeçare pas një beteje me ALS.
Në një reagim emocional në Instagram, aktorja falënderoi publikun për mbështetjen e jashtëzakonshme.
“Jam e mbingarkuar nga dashuria dhe mbështetja që kemi marrë nga komuniteti ynë. Nuk ka fjalë për të shprehur mirënjohjen tonë,” shkroi ajo. “Ju po na mbani në këmbë gjatë kësaj kohe të vështirë.”
Në një deklaratë për revistën PEOPLE, familja konfirmoi se aktori i “Grey’s Anatomy” u nda nga jeta të enjten pasdite, i rrethuar nga miqtë e ngushtë, bashkëshortja dhe dy vajzat e tyre, Billie dhe Georgia, të cilat, sipas deklaratës, “ishin qendra e botës së tij”.
Gjatë përballjes me sëmundjen, Dane u bë një zë i fortë për ndërgjegjësimin dhe kërkimin shkencor për ALS, duke u përpjekur të ndihmonte të tjerët që përballeshin me të njëjtën betejë.
Aktori kishte bërë publike diagnozën e tij në prill 2025, vetëm një muaj pasi ai dhe Gayheart kishin anuluar divorcin, duke zgjedhur të qëndronin pranë njëri-tjetrit si familje në këtë kapitull të vështirë.
Çifti u martua në vitin 2004 dhe, megjithëse u ndanë në vitin 2018, ata ruajtën një marrëdhënie të ngushtë si bashkë-prindër. Në intervista të mëparshme, Gayheart e kishte përshkruar lidhjen e tyre si “super të komplikuar”, por të bazuar në respekt dhe dashuri familjare.
“Dashuria jonë mund të mos jetë romantike, por është një dashuri familjare,” kishte rrëfyer ajo në një ese emocionale.

