Akuza për korrupsion/ Njëri zyrtar i Pallatit të Rinisë dënohet me 3 vjet e 6 muaj burgim, tjetri 1 vit burgim me kusht
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy zyrtarëve të Pallatit të Rinisë, Astrit Zogiani dhe Faton Rrustemi, lidhur me akuzën për korrupsion.
Zogani u dënua me dënim unik prej 3 vjet e 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë, kurse Rrustemi me 1 vit burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë.
I akuzuari Astrit Zogiani e kishte pranuar fajësinë në seancën fillestare të datës 12 maj 2026, ndërsa i akuzuari Faton Rrustemi kishte lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, Astrit Zogiani në cilësinë e menaxherit të financave në Pallatin e Rinisë ngarkohej me veprat penale “Përvetësim në detyrë” dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Ndërsa, Faton Rrustemi, në cilësinë e përgjegjësit të sigurimit në Pallatin e Rinisë, akuzohej për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani-Hajra.

